Secondary Adv

Skemat në bujqësi, shtyhet deri më 11 shtator afati për plotësimin e dokumentacionit

Fermerët e shpallur fitues në fazën e parë të aplikimit për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 do të kenë afat deri më 11 shtator për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e mbështetjes financiare.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se afati për dorëzimin e dokumentacionit shtesë është shtyrë për aplikantët e Masave Kombëtare të Mbështetjes nr. 1–7 dhe nr. 9. Shtyrja synon t'u japë fermerëve më shumë kohë për plotësimin e dokumenteve të kërkuara dhe të lehtësojë procesin e administrimit dhe verifikimit të aplikimeve.


Afati i mëparshëm për përfituesit e masave 1–4 ishte 10 gusht 2026, ndërsa për fermerët e shpallur fitues në masat 5–7 dhe masën 9 ishte 13 gusht. Aplikantët që nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të ri, më 11 shtator 2026, do të skualifikohen nga skema mbështetëse.


Mbi 42 mijë aplikime nga fermerët

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka regjistruar gjithsej 42,728 aplikime, ndërsa vlera e kërkesave ka arritur në 7.2 miliardë lekë, përballë një fondi prej 5.2 miliardë lekësh të vënë në dispozicion. Qarku i Fierit kryeson për numrin e fermerëve aplikues, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora.


Këtë vit skema është organizuar në 12 masa mbështetëse, të ndara në nëntë masa direkte dhe tre masa investimesh. Masat direkte mbulojnë tufën bazë të gjedhit, tufën bazë të të imtave, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimin e ujërave të brendshme.


Interesi më i lartë është regjistruar për tufën bazë të të imtave, me 7,236 aplikime, e ndjekur nga bletaria me 7,016 aplikime dhe tufa bazë e gjedhit me 6,732 aplikime.


Tre masat e investimeve përfshijnë mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç, ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve dhe mekanizimin e bujqësisë. Masat synojnë uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë së produkteve, përmirësimin e standardeve dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme bujqësore.


Burimi: Scan TV


Më të lexuarat